Sot u emërua këshilltare e tij, Shala dikur për Kurtin: Nëse ti vjen në pushtet do ta falësh tërë Kosovën

Shenaj Shala, e cila në janar pak para zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë, aderoi në Lëvizjen Vetëvendosje, sot është emëruar si këshilltare politike dhe shefe e protokollit në kabinetin e kryeministrit Albin Kurti.

Këtë pozitë, Shala e mori, pavarësisht se ishte ndjerë e mashtruar në manifestimin protestues të LVV-së dhe partive tjera të vogla opozitare më 28 nëntor të vitit 2015, që mbahej për ta kundërshtuar asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

Shalën e kishte zhgënjyer rëndësia që Albin Kurti atë ditë në fjalimin para protestuesve ia dha bashkimit klasik kombëtar të Kosovës me Shqipërinë.

Pak ditë pas protestës, ajo kishte shkruar një letër për Kurtin, ku ia shprehte gjithë mllefin e akumuluar të asaj dite. Duke besuar se një bashkim i tillë kombëtar ishte i keq për etnitë pakicë në Kosovë, Shenaj Shala, që ndjehet gjysmë shqiptare e gjysmë turke, konstatonte se Kurti do ta falte tërë Kosovën nëse do të vinte në pushtet,.

“Në atë moment t’i flisje…flisje kundër zajednicës. Kundër një bashkimi të komunave serbe. Mirëpo flisje edhe për një bashkim tjetër… I rendite të kqijat e zajednices, duke tregu se çka do të mbetet nga Kosova përmes asaj harte të tmerrshme. Por çka do të mbetet nga Kosova, Albin, pas bashkimit kombëtar? U mundova me e paraftyru hartën e Kosovës atëherë- por nuk shihja asgjë! Ti flisje për ‘faljen’ e pjesëve të Kosovës nga ata në pushtet, por poashtu (po i bjen që) nëse ti vjen në pushtet do ta fal tërë Kosovën”, kishte shkruar ajo.

Ajo thoshte se është pro bashkimit, por jo vetëm bashkimit të shqiptarëve, siç edhe frikësohej se e mendon Kurti bashkimin, shkruan Insajderi.

“Unë dua bashkimin e shqiptareve, por jo vetëm. Dua bashkim të shqiptarëve, serbëve, turqve, romëve, kroatëve, egjiptianëve, të gjithë të tjerëve të cilët jetojmë në këtë vend! Dua që udhëheqësit e mi të mos bëjnë ndarje, dhe të mos përfaqësojnë vetëm interesat e njërës palë. Dua që të keni një vizion për të ardhme të përbashkët, për të gjithë, pa marr parasysh çka jemi. Përfaqësim për një jetë të mirë e të shëndoshë, në harmoni! Si prisni ju që të keni përkrahjen e minoriteteve tjera nëse në njërën anë jeni kundër zajednicës së komunave serbe, por nga ana tjetër synoni një bashkim tjetër? E kujt është kjo Kosovë? Dhe pse duhet ta falim, apo ta coptojmë? Apo ndoshta paragjykoni e supozoni se ajo çka të gjithë dëshirojnë në Kosovë, dhe çka është më e mira për të gjithë, është bashkimi kombëtar pa marr parasysh cilit komunitet i përkasin qytetarët e Kosovës?”, shkruante Shala.

Teksa kujtonte se si i kishin dalë lotë teksa kishte ecur përgjatë sheshit Nënë Tereza pas atij manifestimi protestues, Shenaj Shala shprehej se ishte ndarë “e zhgenjyer me faktin qe manifestimi per te cilin dola kunder coptimit te Kosoves u shnderrua ne dicka krejt tjeter nga ajo qe ishte thirrur”.

Këshilltarja politike dhe shefja e protokollit në kabinetin e kryeministrit Kurti, atëherë besonte se të gjithë ata që ishin me përkatësi edhe “diçka tjetër” përpos shqiptarë të Kosovës, nuk do të mund ta zgjedhin të ardhmen e tyre me Albin Kurtin në pushtet.

“Në moment kuptova se, të gjithë ata si unë, qe iu është imponu te zgjedhim se çka jemi (vetëm njërën ane) ne te kaluarën, ndoshta nuk do t’mund ta kenë as këtë mundësi te zgjedhjes në të ardhmen nëse ju vini ne pushtet, pasiqë ju vetëm se keni vendos se çka duhet të jemi, të gjithë!”, kishte shkruar ajo.

Gjërat si duket kanë ndryshuar rreth 5 vjet pas, pasi Shenaj Shala mori një post në kabinetin e Kurtit derisa para zgjedhjeve ky i fundit e prezantoi Shalën si përfaqësim të drejtë e të mirë në institucionet e shtetit.

0 0 vote
Article Rating
Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x